City ruan distancën me Liverpool, Chelsea përfiton nga humbja e Arsenal

Manchester City mundi 3-1 Southampton në fushën e kësaj të fundit për të ruajtur distancën me Liverpool, që kryeson renditjen e kampionatit anglez.

Miqtë ishin superiorë gjatë gjithë takimit dhe mundën të shënonin tri herë që në pjesën e parë për të mos e vënë asnjëherë në diskutim fitoren. Në të 10’ David Silva dhe Bernardo Silva kombinojnë bukur në zonë dhe spanjolli kulmon me gol aksionin perfekt. Më parë ishte portugezi që i ishte afruar golit vetëm pesë minuta pas fillimit të ndeshjes.

Pierre-Emile Hojbjerg mundi të shënonte barazimin e përkohshëm për vendasit në të 37’, kur pranë pikës së penalltisë goditi fortë në rrjetë. Megjithatë, në minutën e fundit të kohës së rregullt të pjesës së parë James Ward-Prowse ishte i pafat duke dërguar topin në portën e tij. Dhe në minutën e tretë shtesë të pjesës së parë Sergio Aguero vulosi trepikëshin për Cityn pas një krosimi perfekt të Oleksandr Zinchenkos.

Chelsea përfitoi nga humbja e Arsenal një ditë më parë, duke u shkëputur me pesë pikë dhe duke siguruar kështu vendin e katërt, që do të thotë edhe kualifikim në Champions League. Një gol nga N’Golo Kante në fillim të pjesës së dytë i mjaftoi Bluve për të mundur Crystal Palace.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN