Kina tenton historinë, sonda po ulet në pjesën “e errët” të Hënës

Një sondë kineze ditët në vijim mund të ndryshojë historinë e astronomisë, ose të paktën të perceptimit që kemi për Hënën.

Autoritetet kineze të Agjencisë Kombëtare për Hapësirën deklaruan zyrtarisht ditën e sotme që një sondë e quajtur Chang’e-4 “po përgatit uljen e parë në histori në pjesën e errët të Hënës”.

Raketa që ka dërguar sondën Chang’e-4 në afërsi të Hënës

Dihet që sateliti i planetit tonë ka një rotacion të njëjtë me orbitën ndaj Tokës, çka bën gjysmën e saj gjithmonë të padukshme nga toka. Edhe pse kjo pjesë, që në fakt nuk është aspak e errët në vetvete, është fotografuar nga rusët qysh në tetorin e vitit 1959, asnjëherë nuk kanë ndodhur ulje sondash ose astronautësh, për shkak të vështirësive të komunikimit me Tokën.

Sonda kineze nisi rrugëtimin e tij të gjatë në fillim të dhjetorit, dhe sipas autoriteteve kineze ndodhet tashmë rreth 15 kilometra nga sipërfaqja e hënës.

Chang’e-4 do të hulumtojë natyrën e terrenit hënor, mineralet, nivelin e radioaktivitetit dhe shumë parametra të tjera.

Pjesa “e errët” e Hënës, e fotografuar për herë të parë nga sovjetikët në 1959.

Kina nuk ka deklaruar ditën ekzakte të uljes së sondës, por kjo do të ndodhë” në një moment të përshtatshëm” ditët në vijim.

Suksesi i sondës Cjang’e-4 do t’i jepte një hov të rëndësishëm ambicieve të Pekinit zyrtar për t’u shndërruar në superfuqi edhe jashtë planetit tonë, duke kapërcyer në të ardhmen edhe planet e Rusisë dhe SHBA-së.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN