Messi merr vendimin final për kombëtaren

Pas disa muajsh pushim, Lionel Messi më në fund ka marrë një vendim final për të ardhmen e tij te kombëtarja e Argjentinës.

Pas zhgënjimit në Botëror të mbyllur me humbjen kundër Francës, që më pas do të shpallej kampione e botës, ylli i Barcelonës kërkoi të shkëputej për pak kohë, por tani duket se ka vendosur të rikthehet, fiks në kohë për Kupën e Amerikës.

Lajmin e gëzuar për tifozët e Argjentinës e dha Presidenti i Federatës së Futbollit, Claudio Tapia. “Messi nuk është larguar kurrë nga kombëtarja. Besoj se për shkak të dashurisë që ka për këtë skuadër do të rikthehet”, shkroi Tapia në një postim në rrjetet sociale.

Dhe sipas të përditshmes spanjolle “Marca”, Tapia është takuar me Messin në Madrid para finales së Kupës Libertadores mes Boca Juniors dhe River Plate, ku edhe besohet se ka marrë konfirmim prej lojtarit që do të rikthehet.

Kupa e Amerikës do të zhvillohet në Brazil nga 14 qershori deri në 7 korrik të vitit 2019. Përveç 10 skuadrave të Amerikës së Jugut këtë herë do të marrin pjesë edhe dy skuadra nga jashtë kontinentit, Japonia dhe Katari, organizatore e Botërorit 2022.

Shkarkoni aplikacionin e A2