Protesta e emigrantëve, Sejko: Një parti e diasporës? Nuk është zgjidhje

Për të tretën ditë radhazi , diaspora protestoi para kryeministrisë. Protesta që nisi në mesditë zgjati një orë.

Asaj i’u bashkuan krahas shqiptarëve që jetojnë jashtë, të organizuar nga Genc Sejko, edhe disa studentë, artistë dhe banorë të Unazës së Re. Pas protestës tek kryeministria, një pjesë e protestuesve vijuan në këmbë drejt teatrit, për shembjen e të cilit, gjatë muajve të mëparshëm pati gjithashtu protesta të vazhdueshme.

Pamje gjatë protestës së sotme

Ideatori kryesor i protestës në ditën e tretë dhe të fundit të këtij tubimi krejtësisht paqësor u shpreh i bindur se qëllimi i tyre ishte përmbushur, pasi kishin bashkuar tre komponentë të ndryshëm të protestës: “Bashkimi i shqiptarëve të pakënaqur, për një Shqipëri më të mirë”, tha ai.

Genc Sejko deklaroi për mikrofonin e A2 News, se në të ardhmen po mendohet nga diaspora për dhënien e kontributeve konkrete për shoqërinë shqiptare, por se “ ky s’është vendi dhe as momenti për t’i bërë publike”.

I pyetur për zërat e një lëvizje të mundshme politike të emigrantëve shqiptarë, Sejko tregohet i vëmendshëm dhe nuk dëshiron të politizojë çështjen. “Nuk mendoj se do të ndodh, nuk besoj se është zgjidhje”.

Genc Sejko, emigrant në Angli, është bërë i njohur prej kohesh në rrjetet sociale për ironinë e tij ndaj politikës në Shqipëri, reflektuar në meme të panumërta, veçanërisht për mënyrën se si qeveriset vendi ynë.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN