Andi Lila, viti i “luftëtarit” kuqezi

Prej më tepër se një dekade në përfaqësuesen shqiptare. Gjithmonë një prej elementëve të rëndësishëm të skuadrës dhe jo rastësisht i njohur si luftëtari kuqezi. Andi Lila bën bilancin e vitit, mes mesfushorin që po zhvillon sezonin e tetë te Pas Janina në elitën e futbollit grek, aventurë e ndërprerë vetëm për pak muaj gjatë huazimit te Parma në Serinë A.

“Nga ana personale ka qenë një vit, pozitiv. Nuk kam pasur dëmtime. Kishte gjëra pozitive, ashtu si edhe jo pozitive, por në bilanc do të thoja një vit i mirë”.

Një prej ngjarjeve më të bukura të vitit ishte lindja e vajzës Aksa, e cila bëri që të largohej nga grumbullimi i Kombëtares menjëherë pas miqësores së luajtur me Jordaninë. “Ishte një nga ditët më të bukura. Ishte menjëherë pas ndeshjes dhe insistova të isha i pranishëm. Kur bëhesh prind për herë të dytë është diçka e bukur, sepse je mësuar me të parin dhe je më në formë. Si çdo fëmijë, fillimet janë më të vështira, por Ajan po e kalon për bukuri se po mësohet me motrën e vogël”, thotë Lila.

Andi Lila bën edhe bilancin e edicionit të Kombëtares, duke theksuar se vështirësitë në Ligën e Kombeve lidhen me revolucionin në Kombëtare, megjithatë ka besim te kualiteti i ekipit kuqezi. “Këtë vit isha i grumbulluar në të gjitha ndeshjet, përveç miqësoreve me Kosovën dhe me Ukrainën. Mendoj se mund të luanim më mirë, por personalisht jam i kënaqur që isha pjesë e skuadrës. Mund të bënim edhe më mirë si ekip, kualitetin e kemi si grup. Është pak e vështirë, sepse jemi në moment revolucioni, por me kalimin e kohës shpresoj të bëhet një grup i mirë edhe të ecim përpara”

Kualifikueset e Euro 2020, si e vlerësoni grupin dhe cilët do të jenë kundërshtarët? “Nuk ka ndeshje të lehta dhe jo të lehta, si me Lihtenshtejnin, edhe me Francën. Duhet të japim maksimumin nga vetja, për të bërë gjëra të mëdha. Ky është një grup që na përshtatet shumë. E nisim me Turqinë në shtëpi dhe nga statistikat këto ndeshje të para i kemi fituar. Fillimi i mbarë do të jetë gjysma e punës. Ndeshjet do të merren me radhë. Islanda nuk është ekipi i disa viteve më parë. i kemi të gjitha mundësitë të shkruajmë historinë për herë të dytë dhe shpresoj të jem pjesë e historisë”.

A është i arritshëm vendi i dytë? “Me Turqinë kemi treguar vlera të mira, edhe pse fitorja në miqësoren e fundit nuk ishte barometër për ndeshjet zyrtare. Kam besim të plotë se mund të bëjmë surprizën përsëri në këtë grup.

Andi gjithmonë pjesë e rëndësishme e Kombëtares, edhe pse ka nisur revolucioni në skuadër… A ke pasur komunikim me trajnerin, apo të ka treguar planin? “Kur isha 20 vjeç objektiv kisha të luaja 30 ndeshje me Kombëtaren, ndërsa sot që po flasim kam luajtur 70 ndeshje. Do të dëshiroja të luaja edhe 70 ndeshje të tjera. Do të vijë dita kur nuk do të jem pjesë e skuadrës, por në çdo moment, në çdo grumbullim, në çdo sekondë do të jap maksimumin si gjithmonë, për ta ndihmuar vendin tonë të përfaqësohemi në mënyrë dinjitoze”.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN