Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 60%
  • Zonat malore 20%
  • Qendrat historike 20%

Rama: Mbyllim këtë vit epokën e zymtë të lojërave të fatit

Nga A2 CNN
31 Dhjetor 2018, 11:19 | Politikë
Rama: Mbyllim këtë vit epokën e zymtë të lojërave

Në konferencën për mediat në ditën e fundit të vitit, Kryeministri Edi Rama i kushtoi një pjesë të mirë të saj gjendjes ekonomike në vend, duke theksuar se shifrat tregojnë një përmirësim të dukshëm.

“Kemi 262 000 të punësuar të regjistruar më shumë në regjistrat e shtetit, që paguajnë sigurime shoqërore dhe shëndetësore dhe taksa kur janë mbi rrogën 30 000 lekë. Vetëm nga zyrat e punës këtë vit janë punësuar 34 604 persona këtë vit. Sigurisht që nuk janë 300 000, por janë shifra lehtësisht të verifikueshme”, tha Rama.

“Punësimi në sektorin jo bujqësor, më i lartë se në sektorin bujqësor. Burimi për këto shifra është Banka Botërore, që nënvijëzon se punësimi ka qenë instrumenti kryesore i uljes së varfërisë në vend. Sigurisht që varfëria mbetet problem dhe sfidë, por sot është më e ulët se sa pesë vjet më parë”.

Kryeministri gjithashtu tha se Banka Botërore konfirmon rritjen ekonomike të Shqipërisë si më të lartën në rajon. “Nuk dua të përcjell mesazhin që jam i kënaqur, por janë disa të vërteta të realitetit tonë, të përpjekjes sonë dhe njerëzve të këtij vendi që mbeten vazhdimisht të neglizhuar në pasqyrat e përditshme të informacionit. Banka Botërore konfirmon se turizmi dhe energjia janë dy sektorët që kanë kontribuar më shumë për rritjen ekonomike, ndërsa 9% e Prodhimit të Përgjithshëm Kombëtar vjen nga investimet e huaja direkte. Flas këtu për vendet e Ballkanit Perëndimor, jo vende që janë pjesë e BE”.

“Sa i përket borxhit publik, trajektorja është rënëse dhe ai është nën kontroll të plotë dhe reformat e thella që rregulluan bilancet janë duke dhënë frytet e tyre”, shtoi Rama.

“91% e atyre që merren me biznes në Republikën e Shqipërisë do të paguajnë vetëm 5% taksa. Ndërsa më të mëdhenjtë do të paguajnë 15%. Në 1 janar nuk do të ketë më TVSH për të gjitha inputet bujqësore, bëhet realitet një zotim që për 20 vjet me radhë e kanë marrë të gjitha partitë politike. Një ndihmë direkte për qindra – mijëra njerëz dhe ekonominë e tyre të vogël familjare”.

Kryeministri theksoi gjithashtu edhe ndryshimin e madh që nis nga data 1 janar 2019, ku mbyllen aktivitetet e lojërave të fatit dhe basteve sportive. “Mbyllim këtë vit epokën e zymtë të lojërave të fatit. Ndalohen të gjitha lojërat e fatit nga nesër dhe qindra miliona euro që kanë shkuar në llumin e kumarit dhe basteve do të mbeten në konsumin familjar të të gjithë atyre që kanë fatin të kenë lojtarë fati në familje”, tha Rama.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani