Rrëfimi i Renato Arapit: nga Turqia te Superiorja – A2

Rrëfimi i Renato Arapit: nga Turqia te Superiorja

Nuk ka krizë financiare vetëm mes klubeve shqiptare. Situata është mjaft problematike edhe në Turqi. Këtë po e vuan Renato Arapi, i transferuar te Afjet Afyonspor në Ligën e Parë turke në fillim të sezonit, por që zbulon prapaskenat e problemeve të përjetuara në klub. Mungesë profesionalizmi, por edhe një kërkesë e pakonceptueshme, e cila solli krisjen e pariparueshme në marrëdhënien ndërmjet palëve.

“U nisëm për më të mirën, menduam se bëmë zgjedhjen e duhur, por në fakt nuk doli ashtu. Kishte mungesë profesionalizmi, problemet që ndodhën në Turqi me valutën e tyre, reflektuan në kontratat tona, duke na kërkuar që të bënim ulje. Diçka e papranueshme. Klubi kishte edhe mungesë organizimi dhe kjo reflektoi edhe në rezultate”, thotw Arapi.

Gjithçka po shkon drejt prishjes së kontratës, por pengesë mbeten detyrimet që klubi i ka mbrojtësit 32-vjeçar. Në të tilla kushte, rikthimi në Shqipëri duket një opsion real. “Nuk i kam shkëputur marrëdhëniet me klubin në Turqi. Menaxheri im do të jetë gjithë kohën në kontakt me klubin. Të dyja palët duam të shkëpusim marrëdhënien, por kam edhe disa pagesa të prapambetura. Nëse nuk do të jetë e mundur të vazhdoj në Turqi, me kushtet që kërkoj, normalisht do të kthehem në Shqipëri, por asgjë nuk është vendosur”.

Skuadrat pretendente kanë nisur të interesohen. Teuta është një alternativë reale, me durrsakët që kërkojnë ta kthejnë mbrojtësin në shtëpi, ndërsa edhe Partizani vëzhgon me vëmendje çdo zhvillim.

“Për Teutën më vjen mirë, sepse kanë bërë një projekt serioz edhe më bëhet qejfi, sepse është ekipi i qytetit tim. Kontakte me Teutën kam pasur, me stafin dhe lojtarët, sepse aty kam miq. Kemi folur, kemi diskutuar, por asgjë nuk është përcaktuar”.

Në fund, Renato Arapi skanoi edhe kampionatin, duke renditur pretendentët për titull, mes të cilëve edhe Skënderbeun, skuadrën me të cilën ka fituar gjashtë herë kampionatin nga viti 2010 deri më 2016-ën. “Skënderbeun do ta përfshija pretendent për titullin, siç janë Partizani, Teuta dhe Kukësi. Këto skuadra do ta diskutojnë titullin. Për shkak se Skënderbeu është dobësuar këtë vit, duke shitur shumë lojtarë nga formacioni i vitit të kaluar, të gjitha ekipet kanë një nivel. Kjo e ka bërë kampionatin më të bukur dhe më konkurrues”.

Shkarkoni aplikacionin e A2