Vit historik për arbitrimin shqiptar, Jorgji: Këtu paragjykohemi dhe sulmohemi

Arbitri më i mirë shqiptar, jo thjesht prej vlerësimeve të marra në fundin e vitit 2018. Enea Jorgji ka shkruar historinë, duke u bërë shqiptari i parë që drejton një ndeshje në fazën finale të aktiviteteve të rëndësishme ndërkombëtare, me përballjen e grupeve të Europa League ndërmjet AEK Larnaca dhe Ludogorets.

“2018 ishte një ndër vitet me arritjen më të madhe në arbitrim. Pjesëmarrja në mars në ndeshjet e Kupës së Botës, vazhdoi me turret e Europa League, gjykimi i ndeshjeve në Ligën e Kombeve dhe faza e grupeve në Europa League, që është një arritje më vete”, thotë Jorgji.

Tashmë mbetet gjykimi edhe i ndeshjeve në Champions League. Rruga është e gjatë dhe e vështirë, por ëndrra e arbitrit që prej vitit 2012 mban stemën e FIFA-s vazhdon. “Kemi bërë disa hapa deri më tani dhe hapi tjetër mbetet ngritja në nivele edhe më të larta. Champions League është disi më e vështirë, sepse duhet të ngjitem në kategorinë e parë të FIFA-s për arbitrat dhe nëse kjo ndodh shpresat janë shumë të mëdha edhe për ndeshje të këtij niveli”.

Edhe pse në arenën ndërkombëtare niveli është shumë i lartë, arbitrimi në Shqipëri bëhet një mision i vështirë. Enea Jorgji tregon edhe arsyet e këtij fenomeni: “Arbitrimi më i vështirë në Shqipëri? Është realisht i tillë, sepse paragjykohemi shumë, duke arbitruar javë pas jave. Ky profesion ka gabimin në mes, por syri tendencioz nga opinioni apo faktorët e tjerë nuk mungon dhe kthehesh në objektiv të cenueshëm dhe që sulmohet”.

Megjithatë, në këtë sezon diçka ka ndryshuare dhe në futbollin shqiptar dhe kjo i ka ndihmuar arbitrat në punën e tyre. “Besoj se klubet dhe mbi të gjithë presidentët e kanë kuptuar që jemi njerëz dhe mundtë gabojmë. Në këtë mënyrë, i janë përkushtuar më tepër investimit të tyre, sesa gabimeve të arbitrave. Shikoj një qasje tjetër ndaj arbitrave dhe kjo i ndihmon që të paraqiten më mirë në fushë.

Rrugëtimi ndërkombëtar i Enea Jorgjit pritet të vazhdojë në vitin 2019, prej muajit mars, kur do të nisin edhe kualifikueset drejt Euro 2020.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN