Rumania merr presidencën e Bashkimit Europian, unioni ka dyshime

Nga protestat masive në Rumani

Nga 1 janari Rumania merr për herë të parë presidencën e Bashkimit Europian, në një moment jetik për unionin, pasi këtë vit do të mbahen zgjedhjet parlamentare të BE, do të finalizohet shkëputja e Mbretërisë së Bashkuar ndërsa do të merren vendime të rëndësishme për krizën e emigracionit.

Megjithatë, në Bruksel ka dyshime mbi kapacitetet e vendit ish-komunist për të udhëhequr bllokun 28-anëtarësh. Presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, foli hapur kur tha se qeveria rumune do të duhet të tejkalojë problemet e brendshme për të udhëhequr si duhet unionin.

“Në Bukuresht nuk e kanë kuptuar plotësisht se çfarë do të thotë të marrësh presidencën e vendeve të Bashkimit Europian. Një veprim i matur do të ishte që të dëgjonin këshillat e të tjerëve dhe të linin shqetësimet e brendshme mënjanë. Kam dyshime që kjo do të ndodhë”, është shprehur Juncker.

Rumania është përfshirë së fundmi nga protesta masive popullore, ndërsa nuk kanë munguar edhe skandalet politike, ku deri te kryeministri është detyruar të japë dorëheqjen i akuzuar për korrupsion. “Liderët politikë në Bukuresht janë të shqetësuar mos përfundojnë në burg dhe të ruajnë pasurinë që kanë vënë, nuk e kanë mendjen te shteti. Kështu që shqetësimi i Bashkimit Europian qëndron”, thotë Laura Stefan, aktiviste e një shoqate anti korrupsion dhe ish zyrtare e lartë në Ministrinë e Drejtësisë.

Rumania do ta mbajë presidencën e unionit deri në fund të qershorit, për t’i lënë më pas stafetën Finlandës.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN