TEC-i i Vlorës me PPP, 58 milionë euro për rivënien në punë

Termocentrali i Vlorës do të jepet me koncesion të formës Partneritet Publik-Privat për një periudhë 20-vjeçare. Ndërsa rehabilitimi dhe vënia në punë e tij, pritet të kushtojë rreth 58 milionë euro, para që do të financohen nga privati.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka hapur ditën e fundit të vitit 2018 zyrtarisht garën ndërkombëtare për projektin. Edhe pse mbart firmën e ministrit Damian Gjiknuri, ndjekja e procedurave do t’i takojë ministres së re të energjisë, Belinda Balluku.

Plani për të bërë TEC-in operacional përfshin konvertimin e tij për të përdorur gazin natyror si lëndë djegëse për të prodhuar energji, në vend të naftës. Detyrë e kompanisë fituese do të jetë edhe ndërtimi i tubacioni 40 kilometra të gjatë, që e lidh centralin me Gazsjellësin TAP, si edhe rregullimi i sistemit të ftohjes.

Përvoja dhe kostot e propozuara nga ofertuesit janë kriteret kryesore në përzgjedhjen e fituesit, ndërsa koha për vënien në punë vlerësohen me vetëm 7 nga 100 pikë.

Termocentrali i ngritur në pyllin e Sodës në Vlorë u financua me një kredi të Bankës Botërore, por nuk ka funksionuar prej janarit 2012 për shkak të defekteve. Prej nisjes së punimeve, ai llogaritet t’i ketë kushtuar shqiptarëve rreth 110 milionë euro.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN