Parlamenti Europian është kundër korrigjimit të kufijve në Kosovë

Korrigjimi i kufijve nuk është ide e mirë dhe mund të sjellë shumë probleme. Kjo ishte porosia e zëvendëspresidentit të Parlamentit Europian, Rainer Wieland, gjatë vizitës së zhvilluar në Kosovë. Ai u prit nga kryeministri Ramush Haradinaj, metë cilin mbajtën dhe një konferencë për media.

“Ne nuk mendojmë se është një hap i mirë për të ndryshuar kufijtë në këtë rajon. Edhe Kancelarja Angela Merkel është shprehur qartë, nuk mendojmë që është hap i mirë ndryshimi i kufirit në këto rajone të veçanta sepse ka më shumë ndikime sesa në rajonet tjera në të gjithë botën”.
Rainer Wieland, zëvendëspresident i Parlamentit Europian

Ndërkaq, Haradinaj i kërkoi ndihmë zyrtarit të Parlamentit Europian sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën.

“Për mua është shumë me rëndësi përkrahja e Gjermanisë, e zotit Wieland. Ia kërkova ndihmën, sepse ne jemi vend i vogël, ne e kemi zor t’ia shpjegojmë Gjermanisë, Brukselit, të vërtetën, kështu që i kërkova ndihmë që të vazhdojë t’ia tregojë të vërtetën e Kosovës të gjithëve”.
Ramush Haradinaj, Kryeministër i Kosovës

Në përfundim të konferencës, Wieland i dhuroi një tren lodër kryeministrit të Kosovës ndërsa Haradinaj i dhuroi hartën e artë të Kosovës.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN