Sapo filloi, dimri parashikohet i ashpër

Gjatë nëntorit 2018, është aktivizuar vorteksi polar, i cili dikton në terma afatgjatë kushtet termodinamike të shtresave të ndryshme të atmosferës në hemisferën veriore. Ndërkohë, java e fundit e dhjetorit solli ngrohje të menjëhershme dhe të theksuar të stratosferës polare, një proces ky që do të ndikojë kushtet e motit përgjatë janar – shkurtit 2019 në kontinentin Europian dhe Amerikën Veriore.

Kjo ngrohje e stratosferës mbi Polin e Veriut ka bërë që ajri i ftohtë të zbresë në shtresat e poshtme të atmosferës si dhe të depërtojë drejt gjerësive mesatare dhe më poshtë, deri në Mesdheun Lindor.

Kjo ngrohje do të influencojë në terma stinorë, sjelljen e vorteksit polar dhe shpërbërjen e tij në mini-vortekse të cilët do të zbresin drejt gjerësive mesatare apo deri në pellgjet e Mesdheut dhe Detit të Zi, jo vetëm gjatë gjysmës së parë të janarit 2019 por edhe më tej deri në fund të dimrit.

Deri në këto momente, parashikimet stinore sinjalizojnë periudha 5 – 7 ditore me temperatura shumë të ulëta dhe kushte shumë të ashpra dimërore, periudha këto që do të ndërpriten interval 2 – 3 ditore më të ngrohta apo tipike dimërore.

Megjithatë, ngrohja e menjëhershme e stratosferës dhe ndikimi i saj në sjelljen e vorteksit polar i bën parashikimet stinore më të pasigurta nga pikëpamja e zonës gjeografike ku mini-vortekset polare do të shtrijnë ndikimin e tyre.
Dr. Tanja Porja, producente e motit në A2

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN