Dhoma e Përfaqësuesve sfidon Trump për “shutdown”

Dhoma e Përfaqësuesve e kontrolluar nga demokratët votoi për t’i dhënë fund mbylljes së pjesshme të qeverisë, por është thuajse e sigurt se presidenti amerikan Donald Trump do të vendosë veton. Lideri i Shtëpisë së Bardhë tha se do të refuzojë çdo masë që nuk garanton financimin e murit ndarës me Meksikën, të propozuar prej tij.

“Muri, të cilin mund ta quani barrierë apo si të doni tjetër, është i nevojshëm për mbrojtjen e vendit tone”, tha Trump.

Por për kryetaren e re të Dhomës së Përfaqësuesve, Nensi Pelosi, muri është një imoralitet. “Ne nuk do ta ndërtojmë murin. Nëse dikush ka dyshime, kjo është përgjigja. Nuk ka të bëjë aspak me politikën, por me faktin se muri do të ishte një imoralitet mes dy vendeve”, u shpreh Nancy Pelosi.

Përveçse në Dhomën e Përfaqësuesve masa duhet të aprovohet edhe në Senatin e drejtuar nga republikanët, por senatorët e kanë përjashtuar një mundësi të tillë.

Legjislacioni i miratuar nga Dhoma e Përfaqësuesve garanton financimin e operacioneve të brendshme të sigurisë deri ne 8 shkurt, e gjithashtu financon agjenci të tjera deri në shtator. Votimi për buxhetin mbrëmjen e së enjtes erdhi pasi Nancy Pelosi, një demokrate nga Kalifornia u rizgjodh kryetare e Dhomës së Përfaqësuesve.

Pelosi u shpreh krenare për faktin se do të drejtonte Dhomën e Përfaqësuesve në 100 vjetorin e të drejtës së votës për gratë, ndërsa Trump e cilësoi zgjedhjen e saj si një arritje të madhe.

Kongresi i ri u betua të enjten, si një prej më të larmishmëve ne histori. Pjesë e tij janë një numër rekord prej 102 grash, 43 prej të cilave me ngjyrë.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN