“Mafia shqiptare nuk është mafia”

Të pamëshirshëm, të dhunshëm dhe të ashpër por grupet mafioze shqiptare, janë shumë më pak të sofistikuar se mafiozët e vërtetë.

Revista e njohur britanike “The Economist” në një artikull të saj të titulluar “Mafia shqiptare nuk është tamam një mafie” flet për grupet kriminale shqiptare, organizimin e mënyrën se si strukturat e tyre veprojnë. Në këtë artikull shkruhet se pavarësisht se ka një trend në rritje të kriminalitetit, malavitës dhe gangsterëve, mafia shqiptare nuk është një mafia e vërtetë.

Jana Arsovska, që jep mësim në City University të New York dhe që ka ndjekur kriminelët shqiptarë për 15 vjet, deklaron se “mafia shqiptare” është një mit. Pasuritë e pafundme dhe dhuna ekstreme e kriminelëve që vijnë nga Shqipëria dhe Kosova nuk nënkupton se ata i përkasin një organizate të strukturuar me zakone dhe rituale të ngjashme me Cosa Nostra në Siçili apo Yakuza në Japoni. “Shohim që shumë organizata punojnë të pavarura nga njëra tjetra”, thotë Arsovska.

Ky artikull citon po ashtu edhe një raport të antidrogës italiane ku thuhet se përtej sektorëve të ndryshëm të krimit në të cilët kanë shtrirë aktivitetin dhe brutalitetin e tyre, grupet shqiptare janë shumë më pak të sofistikuar se mafiozët e vërtetë. “Bëjnë pak aleanca me politikanët për të shpëtuar aktivitetet e tyre apo të për ricikluar pasuritë e të mirat materiale në Ballkan. Është pikërisht kjo pakujdesi që i bën ata sa të frikshëm shpesh herë por të pambrojtur nga policia”, thuhet në këtë raport ku vihet sërish në dukje një mungese strukture të vërtetë mafioze në radhët e shqiptarëve.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN