Messi apo Ronaldo? Jo, golashënuesi i 2018-s është një algjerian!

Jemi mësuar që Ronaldo e Messi të shënojnë gola thuajse çdo javë dhe në fund të vitit duket se askush nuk bën më mirë se ata të dy. Por në fakt kjo nuk është e vërtetë.

Portugezi i Juventusit e mbylli vitin kalendarik 2018 me 43 gola të shënuar, ndërsa Messi ishte më lartë duke realizuar 47 gola. Megjithatë algjeriani Bagdadi Bounedjah ishte më lartë se të dy yjet e futbollit.

Ai nuk ka goditjen e Ronaldos, teknikën e Messit apo shpejtësinë e Mbappe, por pavarësisht këtyre, Bounedjah arriti të shënonte një shifër rekord prej 59 golash në vetëm 40 ndeshje. Algjeriani i lindur në 1991 aktualisht luan me Al Sadd, skuadër në Katar, me të cilën luajnë edhe dy emra të njohur si Xavi dhe Gabi.

Bounedjah vendosi rekordin e tij në fitoren e thellë ndaj rivalëve historik të Al Arab, ndeshje e mbyllur 10-1, ku algjeriani shënoi 7 gola.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN