Euro në rritje, por ‘kriza’ nuk ka përfunduar

Familjet shqiptare që marrin para nga emigrantët, këtë fillim viti kanë ndjerë një rritje të lehtë të kursit të këmbimit të euros.

Monedha evropiane aktualisht këmbehet në tregun valutor për 123.5 lekë, duke qëndruar në një trajektore rritëse që prej një jave. Ky forcim ndihmon individët që marrin remitanca nga emigrantët, por mund të jetë momental, duke bërë që euro të bjerë edhe gjatë 2019-ës.

Valuta është rikthyer në një trajektore rritëse pas Krishtlindjeve dhe që vazhdon edhe ditët e para të Janarit. Prej nivelit më të ulët të 26 dhjetorit, monedha e përbashkët evropiane ka fituar 0.8 pikë kundrejt lekut.

Ky forcimi i euros është tipik për fillimin e vitit sepse zbutet presioni mbi kursin e këmbimit nga paratë që vijnë nga emigrantët. Ndaj është ende herët për të përcaktuar nëse euro do të vazhdojë rritjen përgjatë 2019, apo do të vijojë me humbje si në vitin që sapo përfundoi.

Pavarësisht rritjes, zhvlerësimi i euros mund të mos ketë përfunduar. Krahasuar me një vit më parë, euro ka humbur 10 lekë për njësi, e barabartë me një zhvlerësim prej 7.5%.

Kjo rënie ka fituesit dhe humbësit e saj, ndërsa Banka e Shqipërisë ka deklaruar se është duke monitoruar tregun dhe nuk ka përjashtuar mundësinë e ndërhyrjeve të tjera për të stabilizuar kursin.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN