Grezda në A2: Glasgow? Po humbe më mirë mos dil, fatmirësisht luhet çdo tre ditë

Glasgow, ambientimi me “ferrin” e Ibrox, Kombëtarja, dhe objektivat e ardhshme. Për këto dhe të tjera foli sot sulmuesi i Kombëtares dhe të gjigantëve skocezë të Rangers Glasgow, i ftuar në studiot e A2.

Në bashkëbisedimin me gazetarin Erald Kodheli, Grezda nuk mohoi që impakti i parë me Skocinë nuk ka qenë i thjeshtë. “Në Glasgow fryn një erë e ftohte dhe bie shi pa pushim, por tani kam filluar të njoh qytetin dhe më pëlqen, sidomos më pëlqejnë njerëzit”, rrëfen.

Vështirësitë më shumë se klimaterike, kishin të bënin me profesionin e tij. “Dy muaj shumë të vështirë, sepse të tjerët ishin në forme kurse unë nuk kisha luajtur asnjë ndeshje. Ndeshjet e kombëtares më ndihmuan që të kapja ritmin e garës”.

Përballja me lojtarët skocezë, “më ngacmuan shumë pas humbjes së Shqipërisë 0-4”, dhe me legjendën britanike Steven Gerrard “profesionist i vërtetë, modest, shpesh herë luan në stërvitje me ne”, janë tashmë pjesë e të kaluarës, dhe ai po përpiqet të bindë një publik që ndonëse i përket një qyteti të ftohtë, është nga me të ngrohtët dhe kërkues.

Eros Grezda i ftuar në studiot e A2

“E vërtetë, kur humbasim ndeshjen më mirë të mos dalim në rrugë atë dit por fatmirësisht këtu luhet çdo tre dite dhe gjithçka harrohet shpejt”, buzëqesh sulmuesi.

Objektivave personale Grezda në version modest i preferon ato të ekipit. “Hera e parë që luajta si titullar shënova dy gola dhe u zgjodha si lojtari i javës. Ishte vërtetë një ndjenjë e paharrueshme, por gjithsesi do të zgjedhja të fitoja kampionatin sesa të realizoja gola”.

Grezda nuk i trembet prurjeve të reja, “Defoe? Një mit, e ndiqja në televizor tek Tottenham, por kemi role të ndryshme”, dhe është i qartë edhe për kombëtaren kuqezi.

“Viti i kaluar nuk ka qenë nga më të mirët, por këtë vit duhet të mësojmë nga gabimet dhe të arrimë kualifikimin në Evropian”, thotë sulmuesi, i cili shton që “Panucci nuk ka patur faje, e çmoj se është profesionist i vërtet”.
Mision i pamundur, në dukje, ai i Evropianit. “Nuk mendoj kështu, përveç Francës, është një grup i miksuar mirë, ku secili mund të fitojë me tjetrin”.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN