Mbledhja e parë e qeverisë për 2019-n, të dielën në Elbasan

Qeveria do të zhvillojë mbledhjen e parë për vitin 2019 të dielën, e cila mësohet që do të mbahet në Elbasan.

Të pranishëm në takimin informal do të jenë ministrat e shkarkuar në fund të vitit të kaluar, por edhe ministrat e rinj të dekretuar nga Presidenti, që pritet të votohen në Parlament në seancën e parë të vitit, më 21 janar.

Në mbledhjen e fundit të vitit 2018 u miratuan disa ndryshime që sipas kryeministrit Rama plotësonin kërkesat e studentëve, ndërkohë që pritet edhe publikimi i plotë i “paktit për universitetin”. Megjithatë, studentët kanë paralajmëruar që të hënën, më 7 janar, do të rikthehen të protestojnë para Kryeministrisë.

Më herët gjatë të shtunës, Presidenti Ilir Meta dekretoi shkarkimin e 7 prej 8 ministrave që Kryeministri Edi Rama kishte dërguar, duke mos pranuar të dekretojë shkarkimin e ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati.
Sipas burimeve të A2, Kryeministri Rama ka qenë dje në presidencë dhe i ka dorëzuar vetë shkarkimet dhe emërimet e reja për dekretim presidentit.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN