Sondazh: A ju kanë bërë ndonjëherë shaka në ditën e 1 prillit?
  • Po, dhe ishte e bukur 100%
  • Po,dhe s'ishte argëtuese 0%
  • Jo, nuk më ka ndodhur 0%

Shqipëria, pjesë e “pushtimit” të të ftohtit arktik

Nga A2 CNN
5 Janar 2019, 17:21 | Aktualitet
Shqipëria, pjesë e “pushtimit” të të ftohtit

Ndërkohë që moti i ngrohtë, pa reshje ka dominuar Europën Perëndimore, Lindja dhe pjesërisht zonat Qendrore të saj janë përballur që në ditët e para të janarit 2019 me hyrje të masave ajrore të ftohta nga Arktiku në Lindje dhe Juglindje të Europës, deri në brigjet e Libisë.

Valë të tilla të të ftohtit Arktik janë të zakonshme për Europën Lindore dhe Qendrore por janë të rralla për disa zona të pellgut Mesdhetar si Italia Jugore, Shqipëria, Greqia dhe brigjet e Libisë. Në kushtet e një klime normale, pellgu mesdhetar përballet me masa ajrore arktike në një frekuencë kohore prej 25 – 30 vite por në dekadat e fundit, invazioni i të ftohtit nga rrethi arktik po bëhet më i shpeshtë. Kujtojmë një situatë të ngjashme të dimrin 2016 – 2017 ku i ftohti mbërtheu më tepër se gjysmën e Europës, duke e mbajtur nën ngrica për më gjatë se 3 javë.

Në kushtet atmosferike të masave të ftohta arktike, temperaturat edhe në zonat jugore të kontinentit zbresin 10 deri në 15°C nën vlerën zero gjatë orëve të natës dhe për më tepër, në orët e ditës termometri nuk e kapërcen vlerën prej 10°C edhe në kushtet e një qielli të kthjellët.

Konkretisht, janari 2019 që në ditët e para ka shënuar temperature shumë të ulëta në pjesën më të madhe të Europës ku vlen të theksohen vlerat termike të zonave Jugore dhe Juglindore si Mali i Zi, Serbia, Maqedonia dhe akoma më tepër Greqia, Shqipëria dhe Italia jugore ku temperaturat minimale ditore kanë shënuar të paktën -10ºC, vlerë e cila rezulton 6 – 10°C nën temperaturat tipike të dimrit në këto rajone.

Parashikimi: në terma afatmesëm e afatgjatë, me gjithë tërheqjen e herë pas hershme të masave ajrore arktike drejt veriut të Europës, modelet e parashikimit sinjalizojnë rezistencë të masave ajrore arktike në Europën Lindore dhe Juglindore deri nga data 20 janar. Gjysma e dytë e janarit do të zbusë kushtet e motit në Juglindje të Europës, më e ndjeshme kjo në 10-ditëshin e tretë të janarit 2019.

Dr. Tanja Porja, A2 Weather Report Producer

A2 CNN Livestream

Dita jonë