Prezantimi te Kukësi, Rroca: Bëra zgjedhjen e duhur

Eduard Rroca te Kukësit është një ndër lëvizjet më të nxehta të kësaj merkatoje.

25-vjeçari i transferuar nga Luftëtari pasi ka firmosur dhe është prezantuar në ambientet e klubit verilindor është shprehur për mikrofonin e A2 se Kukësi ishte zgjedhja e duhur, kjo nisur nga ambiciet dhe objektivat që klubi ka vendosur, por edhe për synimet e tij personale në të ardhmen.

“Objektivi që ka Kukësi për të dalë kampion është një shtysë shumë e madhe për çdo lojtar që të bëjë këtë zgjidhje. Kjo ishte një ndër arsyet kryesore që më bën të zgjidhja Kukësin, i cili është një ekip që vitet e fundit ka synuar titullin dhe është pjesëmarrës i rregullt në kupat e Europës. Kështu që për çdo lojtar që synon të bëjë karrierë është një mundësi shumë e mirë. Shpresoj që nga Kukësi të bëjë edhe një hap tjetër për të luajtur jashtë si edhe të shkojë drejt Kombëtares, aty ku i kanë sytë të gjithë lojtarët”, ka thënë për A2 Rroca.

Mesfushori nuk e mohon rivalitetin që e pret, por është i bindur se do të ketë mundësi të tregojë vlerat. Për Rrocën Partizanit mbetet skuadra për t’u mundur teksa nuk lë pas edhe skuadrat e tjera të kreut.

“Partizani është rivali kryesor, por nuk duhet të heqim edhe Skënderbeun për historinë që ka bërë vitet e fundit. Nuk duhet të lëmë pa llogaritur as Teutën dhe Laçin. Kështu që do të jetë një kampionat shumë i rivalizuar dhe në fund të fitojë më i mirë e shpresoj të jetë Kukësi”, u shpreh mesfushori.

Menjëherë pas prezantimit, Eduart Rroca së bashku me Vasil Shkurtaj, sulmuesin tjetër të marrë nga Luftëtari gjatë merkatos së dimrit, janë nisur drejt Antalyas atje ku skuadra do të kryejë fazën përgatitore.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN