Bayern gjobit Ribery për biftekun e artë

Nuk kanë fund polemikat për Franck Ribery. Pak ditë më parë, francezi ka postuar në rrjetet sociale një video ku shfaqet duke ngrënë një biftek të mbuluar me arë, me vlerë 1200 dollarë në një restorant në Emiratet e Bashkuara.

“Viti s’mund të nis më mirë” ishin fjalët e bashkangjitura në video të 35-vjeçarit i cili ka marrë një lumë kritikash nga ndjekësit për luksin e tepruar. Por Ribery nuk i ka kursyer replikat me ta, duke bërë një tjetër postim ku i drejtohet kritikuesve me ofendime nga më të rëndat.

Veprimi i mesfushorit nuk ka kaluar pa u vënë re nga drejtuesit e Bayern të cilët e kanë konsideruar të papranueshëm fjalorin e tij. Drejtori sportiv i Bayern, Hasan Saliamidzic, në një deklaratë zyrtare është shprehur se ka biseduar me francezin dhe i ka komunikuar gjobën e vendosur nga klubi, çka është pranuar nga vetë futbollisti. Shifra ekzakte nuk u bë e ditur por sipas deklaratës thuhet të jetë tepër e lartë.

Kjo nuk është hera e parë për Frank Ribery i cili përfshihet në probleme që dëmtojnë imazhin e klubit. Në muajin dhjetor, Ribery goditi një gazetar në fytyrë për shkak të komenteve të tij negative në një studio televizive për paraqitjen e francezit në ndeshjen e humbur ndaj Dortmund.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN