Besnik Bare: Rezerva për ministrin e Jashtëm, por “të rinjtë” janë të gjithë ekspertë

Për herë të parë që pas vendimit të Edi Ramës për të ndryshuar qeverinë, ministrat që ikin dhe ata që vijnë janë bërë bashkë në një mbledhje informale. Nuk mungoi aty edhe Gent Cakaj, emri që kryeministri ka përzgjedhur për të zëvendësuar Ditmir Bushatin në diplomaci.

Të ftuar në studiot e A2 në emisionin Debat, deputetët Dhurata Çupi e Partisë Demokratike dhe Besnik Bare nga Partia Socialiste dhanë opinionet e tyre për këtë temë aq të debatuar, ashtu si për lëvizjen e studentëve, arsyet e tyre si dhe për zhvillimet e fundit në gjyqësor.

Edhe pse Besnik Bare, deputet nga më të respektuarit në radhët e Partisë Socialiste, nënvizoi që në kabinetin e ri të përzgjedhur nga kryeministrit Rama “njerëzit e caktuar janë ekspertë të fushës dhe kane përvojë në sektorin e tyre”, nuk mohoi një lloje pezmatimi nga disa emërime, në veçanti nga ai për ministrin e Jashtëm, post ky që tashmë mbahet nga 28 vjeçari Gent Cakaj.

Dhurata Çupi dhe Besnik Bare të ftuar në A2

“Pata edhe unë një lloj rezerve, sepse çmoj zotin Bushati. Kam rezerva në këtë pikëpamje, por kam dëgjuar opinione mjaft pozitive mbi një djalë super inteligjent dhe që ka mësuar shumë në eksperiencën e tij në Ministri”, duke zbutur gjykimin e tij politik me një “le t’ia lejmë kohës”.

Ndërkohë përfaqësuesja e Partisë Demokratike Dhurata Çupi edhe pse mendon që Bushati duhet të jepte gjithsesi dorëheqjen për “komprometimin e tij dhe sepse Shqipërisë nuk iu çelën negociatat për anëtarësimin në BE”, sërish kritikon emërimin e Cakaj, e cilësuar si “tallja e radhës e Ramës, që ka vendosur të jetë edhe Kryeministër, edhe ministër, madje edhe zëvendësministër”.

Sipas saj, ditën e emërimit edhe eksponentët historik të partisë Socialiste kërkonin në Google pa patur asnjë lajm mbi disa anëtarë të ekzekutivit.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN