Kërcim në ujëra të akullt për Epifaninë

Rreth 100 burra kërcyen në ujërat e akullt të lumit Tundzha në fshatin bullgar të Kalofer të dielën, si pjesë e kremtimeve për festën e Epifanisë.

Gara e burrave ortodoksë për kapjen e kryqit në një liqen apo lumë të ngrirë është traditë në Bullgari. Megjithatë banorët e Kalofer janë praktikuesit më të rinj të saj. Pas gjetjes së kryqit, burrat vendosin krahët rreth shpatullave të njëri-tjetrit dhe kërcejnë në rreth, nën tingujt e daulleve e gajdeve. Për ta mbrojtur veten nga i ftohti, kërcimtarët pinë sasi të madhe vere dhe rakie.

Një prej pjesëmarrësve këmbëngul se nuk e kishte ndjerë aspak të ftohtin duke e cilësuar eksperiencën si mjaft emocionuese. “Jo, nuk është aspak ftohtë. Madje uji të duket I ngrohtë. Ky është një emocion i jashtëzakonshëm për një qenie njerëzore”.

Sipas traditës ortodokse Epifania përkujton pagëzimin e Jezu Krishtit nga Gjon Pagëzori në lumin Jordan, ndërsa për katolikët shënon momentin e ardhjes së tre personave të mençur për të parë foshnjën Jezu.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN