“Ndryshimi i kufijve në Ballkan nuk bëhet pa luftë”

Autoritetet serbe kanë reaguar ashpër ndaj deklaratës së kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj, se “kufiri mes Kosovës dhe Shqipërisë është hequr sipas parimit të Shengenit”.

Ministri serb i Mbrojtjes Aleksandar Vulin e cilësoi këtë si një përpjekje për krijimin e “Shqipërisë së Madhe”, e cila sipas tij, “nuk mund të krijohet pa konflikte në mbarë Ballkanin, e jo vetëm me Serbinë”. Kryeministrja serbe Ana Brnabiç akuzoi autoritetet në Prishtinë për “cenimin e stabilitetit rajonal”. Ajo shfrytëzoi rastin për të krahasuar Kosovën me Republikën Srpska në Bosnjë-Hercegovinë.

“Duket qartë se tani po flitet për kufijtë, e si është e mundur që kjo të vlejë vetëm për disa, e jo edhe për Republikën Serpska”, tha Ana Brnabiç.

Menjëherë pas këtyre deklaratave kanë reaguar edhe autoritetet në Sarajevë. Anëtari i Presidencës, Zhelko Komshiç tha se “kufijtë e B-H nuk mund të kontestohen në asnjë mënyrë, pavarësisht se çfarë ndodh mes Kosovës dhe Shqipërisë”. Ndërsa anëtari boshnjak, Shefik Xhaferoviq pohon se përpjekjet për cenimin e integritetit territorial apo ndryshimet e kufijve, “nuk do të kontestonin ekzistencën e B-H, por do të cenonin paqen dhe stabilitetin e gjithë rajonit. Bashkëkryetari i Iniciativës së Igmanit për Serbi, Aleksandar Popov, tha në një deklaratë për Deutsche Wellen krijimi i një Serbie, Shqipërie apo Kroacie të madhe nuk do të mund të realizohet pa luftëra të reja.

“Kur flitet për raportet mes Shqipërisë dhe Kosovës, mendoj se këtu janë të përzier shumë amerikanët dhe se ata kanë dhënë idenë për heqjen e kufirit. Nëse kjo ide vërtet realizohet, atëherë i tërë rajoni do të ketë probleme serioze”, tha Alexander Popov.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN