Nis gara për SPAK, kushtet për t’u bërë pjesë

Prokuroria e Posaçme do ketë 15 prokurorë në radhët e saj. Kështu u vendos sot nga mbledhja e parë zyrtare e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, të ngritur vetëm në ditët e fundit të vitit 2018.

SPAK është organi përgjegjës për këtë fazë të rëndësishme në zbatimin e reformës në drejtësi dhe krijimi i saj do të japë edhe efektet për sa i përket hetimit të korrupsionit dhe krimit në radhët e zyrtarëve të lartë. Bërthama e këtij hetimi brenda strukturës së posaçme është Byroja Kombëtare e Hetimit.

Kriteret për të qenë anëtar i SPAK
Emërimi i prokuroreve për Prokurorinë e Posaçme konsiderohet si rritje në detyrë dhe si rrjedhojë për këtë do të zgjidhen prokurorët me kriteret më të mira profesionale dhe morale, të tilla si:

• Magjistrati të ketë ushtruar profesionin për 10 vite
• Magjistrati të mos ketë marrë masë disiplinore
• Magjistrati të ketë kaluar vetting-un
• Magjistrati nuk duhet të jetë anëtar i KLP
• Magjistrati duhet të justifikojë edhe të ardhurat në llogaritë bankare të familjarëve, bashkëshortëve dhe fëmijët, si dhe të gjithë personave të tjerë që qëndrojnë më shumë se 120 ditë në vit pranë tij
• Magjistrati duhet të paraqesë dokumentet e siguruara nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, si dhe nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar

Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi, tha se ligjin parashikon një afat dyjavor për dorëzimin e dokumenteve, por ai propozoi për ta shtyrë këtë afat në një muaj, propozim që u miratua.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN