Ballanca: Nuk ka kufizim të shprehjes, por Qeveria pengon protestat e vazhdueshme me veprime të “gabuara”

E ftuar në studiot e A2, Avokati i Popullit Erinda Ballanca komentoi gjerësisht qëndrimin e institucionit që përfaqëson lidhur me ngjarjet e vitit të fundit, nga qasja e Qeverisë lidhur me protestat popullore që kanë shkundur vendin, në ligjshmërinë e saj lidhur me dëmshpërblimet ndaj palëve të interesuara nga ndërtimi i Unazës dhe projekteve të tjera të debatuara.

Balanca nuk mendon se ekziston një plan konkret të Qeverisë për të zvogëluar mundësitë e shprehjes së lirë në vend, edhe pse saktëson që “ çdo tendencë për ta reduktuar duhet të sjellë një reagim të menjëhershëm”.

Gjithsesi, ajo nuk nguron të cilësoj si të “gabuara” disa vendime të fundit të forcave të rendit për të mos lejuar disa tubime specifike, si ajo e organizuar nga një përfaqësi emigrantësh.

Ballanca thotë se për arsyet e këtyre mohimeve institucioni i saj po interesohet dhe ende nuk ka marrë përgjigje. Ajo nuk mohon faktin që mund të ekzistojë në Qeveri tendenca “që kur protestat bëhen të vazhdueshme, ata mund të pengohen, brenda ligjshmërisë. Policia duhet të mbaj një qendrim korrekt dhe të paanshëm”.

Ndoshta që mos të jepet idea se po protestohet kudo? “Ndoshta”, thotë Ballanca.

Por Avokatja e Shtetit është edhe e vëmendshme që të jetë e balancuar aty kur kemi të bëjmë me të drejtat e njeriut, dhe është kategorike kur thotë që jo vetëm dhuna si mjet kundërshtimi duhet shmangur por, edhe duke i’u referuar ditëve të fundit në Fakultetet e vendit thekson që “siç ka gjithkush të drejtë të protestojë, gjithkush ka të drejtë edhe të mos protestojë”, dhe që përbën shkelje e të drejtave mohimi i ndjekjes së leksioneve.

Pjesë e këtyre lirive është edhe objekt i debatit mbi ligjin “antishpifje” të sponsorizuar nga kryeministri Rama.

Edhe pse Ballanca sheh në projektligjin ende në fazën e trajtimit, “disa probleme që mund të shkelin të drejtën e informimit”, nga ana tjetër është e bindur që “është e pamundur që një person të bëj një shpifje dhe të mos dënohet, pastaj mënyra sesi dënohet dhe sesi mos të ketë abuzim nga Shteti duhet përcaktuar, dhe ne kemi disa komente që do t’i paraqesim në tryezat përkatëse të diskutimit”.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN