Kevin Spacey rrezikon 5 vjet burgim, por thotë se është i pafajshëm

Për herë të parë, pas akuzave të ngritura ndaj tij që prej 2016, për ngacmim seksual, aktori Kevin Spacey është shfaqur në sallën e gjyqit, i heshtur dhe kokë-ulur.

Ylli i “House of Cards” Spacey, u përball në sallë me djalin që e ka akuzuar për ngacmim seksual, më shumë se dy vite më parë, në atë kohë kur ishte vetëm 18vjec, në një bar në Nantucket. Përpara gjykatësit të çështjes, aktori pretendoi pafajësinë ndërsa avokati i tij tha se Spacey i ka të gjitha faktet për të rrëzuar akuzat.

Akuzat u publikuan zyrtarisht në nëntor të vitit 2017, nga ish gazetarja Heather Unruh, e cila tha se djali i saj, është ngacmuar seksualisht nga aktori më 7 korrik të vitit 2016, në një bar-restorant, ku ai punonte me kohë të pjesshme. Djaloshi, 18 vjeç, i tha policisë së Kevin Spacey e ka qerasur me birra dhe whiskey për orë të tëra.

Nëse shpallet fajtor, 59-vjeçari përballet me dënimin mbi 5 vjet burg. Aktori, fitues i çmimit “Oscar” është akuzuar për ngacmime të tilla seksuale nga më shumë se 30 meshkuj. Akuza e parë ndaj tij erdhi nga aktori tjetër Anthony Rapp, në nëntor të vitit 2017, i cili sqaroi se aktori e ka ngacmuar në vitin 1986, kur ai ishte vetëm 14 vjeç, ndërsa Spacey 26.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN