Taksa e pronës, sa do të paguajmë dhe si do të mblidhet?

Duke filluar nga ky muaj bashkitë duhet të marrin masa për të mbledhur taksën e pronës, e cila zyrtarisht edhe pse ka hyrë në fuqi nga 1 prilli 2018, vetëm pjesërisht ka arritur të zbatohet.

Një taksë që tani mblidhet në bazë të vlerës së pronës dhe jo më mbi sipërfaqe. Për banesat, qytetarët duhet të paguajnë 0.05% të vlerës, ndërsa bizneset 0.2% të ambientit ku ushtrojnë aktivitet. Pjesa më e madhe e bashkive pritet ta mbledhin taksën tek fatura e ujit të pijshëm dhe një pjesë nga punonjësit tatimorë të administratës vendore. Taksa do të shtihet përgjatë gjithë vitit, çka do të thotë se qytetarët dhe bizneset do ta paguajnë atë çdo muaj.

Qeveria ka nxjerrë çmime reference për të gjitha zonat kadastrale në vend, mbi bazën e të cilave bashkitë do të përllogarisin vlerën e pronave. Çmimet e referencës u publikuan, pasi Ministria e Financave dështoi në hartimin e kadastrës fiskale, sistemit me të dhënat e plota të vlerës së pronave në Shqipëri, që do të përbënte edhe bazën mbi të cilën do të zbatohej mbledhja e taksës së pronës, sipas formulës së re, asaj të vlerës.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN