Acari dhe reshjet e dëborës mbulojnë Europën, 13 viktima

Shkon në 13 të vdekur, bilanci tragjik i shkaktuar nga vala e motit të ftohtë me reshje të dendura dëbore që ka goditur rëndë Europën prej disa ditësh.

Viktimat janë regjistruar në zona të ndryshme të Alpeve, shumica e tyre për shkak të ortekëve. Një stuhi tjetër, e pagëzuar “Ypatia”, do të prekë kryesisht Greqinë duke filluar nga e mërkura dhe do të sjellë reshje të dendura dëbore dhe erëra të forta.

Stuhia do të kalojë edhe në vende të tjera të rajonit. Në Greqi, 3 persona humbën jetën nga vala e motit të keq. Ndërkohë, qindra persona raportohen të kenë mbetur të bllokuar në Alpet Europiane. Erërat e forta dhe reshjet e dendura të dëborës kanë shkaktuar probleme të shumta në lëvizje të qytetarëve, duke shtyrë ose anuluar fluturime të ndryshme.

“Duhet të shkoj në Itali. Le të shohim nëse mund të kaloj. Nuk e di se si mund të jetë rruga në Austri, por të shohim”, tha Heinz Kellermann, shofer.

Autoritetet në Itali, Austri dhe Gjermani i kanë bërë thirrje turistëve dhe skiatorëve që të evitojnë daljet dhe përdorimin e pistave për ski. Ndërsa në Norvegji, autoritetet ndërprenë kërkimet për 3 persona të shpallur të zhdukur për shkak të reshjeve të dendura të dëborës.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN