Delegacioni kosovar pritet nga Mogherini: Taksa s’hiqet

Taksa e vendosur nga Kosova ndaj mallrave të importuara nga Serbia nuk hiqet. Kjo ishte porosia e delegacionit të Prishtinës për dialog me Beogradin në takimin e parë në Bruksel me shefen e diplomacisë europiane, Federica Mogherini.

Pas takimit, dy bashkëdrejtuesit e delegacionit të Kosovës, Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti në prononcimet për media ripërsëritën se taksa hiqet vetëm me njohjen e Kosovës nga Serbia.

Më tej, ata pohuan se kishin shprehur gatishmërinë për të diskutuar lidhur me të gjitha temat e hapura mes dy vendeve.

Arritja e një marrëveshje gjithëpërfshirëse sipas kryenegociatorëve, ka si kusht parësor njohjen reciproke.

Nga ana tjetër, Mogherini tha përmes një njoftimi zyrtar se e shfrytëzoi takimin për të kërkuar sërish heqjen e taksës 100% ndaj produkteve serbe.

Gjithashtu, nënvizoi se marrëveshja duhet të garantoje ruajtjen e shteteve shumë etnike. Ndër të tjera Mogherini thekson se çdo ujdi e arritur në të kaluarën duhet të respektohet dhe implementohet.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN