Rama publikon vendimin për studentët: Brenda janarit publikohet “Pakti për Universitetin”

Kryeministri Edi Rama ka publikuar një foto ku tregon vendimin e Këshillit të Ministrave të marrë më 28 dhjetor, për plotësimin e një pjese të kërkesave të studentëve, si ulja e tarifave, kontrolli mbi plagjiaturat por edhe punësimin e studentëve të ekselencës në administratën publike.

“Deri në 3 të mëngjesit mbrëmë me qindra studentë që më mësynë whatsapp-in… Mesazhe lloj-lloj, nga më vulgaret tek më prekëset dhe edhe jo pak për të qeshur me zë. Shumë thoshin s’kanë dalë VKM në Fletore Zyrtare. Por mjafton një klik qbz.gov.al dy sy për të parë”, shkruan Rama.

“Kërkesat do plotësohen sipas afateve të publikuara dhe sipas zotimit brenda janarit do publikohet edhe Pakti për Universitetin, që shkon shumë përtej kërkesave”.

Kryeministri thotë gjithashtu se vazhdimi i protestës mund të bëjë që mësimi të vazhdojë deri në verë. “Dhe e fundit për sa më ra më shumë në sy në atë dialog të pazakonshëm me lloj-lloj profilesh e pa asnjë lloj dorashke, siç më pëlqen mua, ishin ankesat e pafundme për pengmarrësit që nuk lënë shumicën të bëjë mësim. Kjo është e papranueshme e mund ta shtyjë mësimin në verë”.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN