Gjermania në prag recesioni, frikësohen ekonomitë e brishta të eurozonës

Gjermania është pranë recesionit ekonomik pasi superfuqia e Europës po has probleme të mëdha në prodhimin industrial.

Ekonomia gjermane befasoi të gjithë këtë javë duke u tkurrur në nivele shumë më të mëdha se sa mendohej. Prodhimi industrial ra me 1,9% për muajin nëntor, ndërsa për gjithë vitin rënia shënoi vlerën -4,6%, duke ngritur kështu pasiguri të mëdha për ekonominë e katërt më të madhe në botë. Një recesion në Gjermani do të kishte impakt dramatik edhe në ekonomitë e brishta të Greqisë dhe Italisë.

“Të dhënat e prodhuesve në Gjermani dhanë një dëshmi alarmante se sa i rëndë ka qenë ngadalësimi i ekonomisë në gjashtëmujorin e dytë të vitit të kaluar. Shumë më tepër se sa pritej fillimisht”, thotë Claus Vistesen, nga Pantheon Macreconomics, një kompani kërkimesh e themeluar nga “Wall Street Journal”.

Ndërsa Stefan Schilbe, nga HSBC, tha për “Business Insider” se recesioni ishte më shumë i mundur tani, pasi prodhimi industrial pritet të shkojë në pikën më të ulët që prej vitit 2008.

Niveli i papunësisë në eurozonë është ulur ndjeshëm që nga piku prej 12,1% në vitin 2013 pasi unioni e mori veten nga kriza financiare. Por shqetësimet e vazhdueshme për borxhin publik të disa vendeve e kanë mbajtur të lartë nivelin e papunësisë, si në Greqi (ku niveli mbetet në 18,6%) dhe Spanjë. Ndërsa në Gjermani niveli i papunësisë mbetet në 3,3%.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN