Patozi kundër të gjithëve: Dekretimet, përleshje politike Rama-Meta që po fyen publikun

Astrit Patozi e ka me të gjithë spektrin politik, që nuk e përfaqëson më, edhe pse ai ka ende energji dhe vullnet politik pë rt’u rishfaqur dikur dhe diku, “në një parti të re”, jo detyrimisht si lider, por si opozitar jashtë tre partive tradicionale të politikës shqiptare, që “e kanë shndërruar vendin në një sulltanat”.

I ftuar në A2 në një intervistë me Endri Xhafon, ish nënkryetari i Partisë Demokratike dhe ish lideri i saj në shumë beteja parlamentare si kryetar grupi, rrëfen zgënjimin për qasjen opozitare të partisë që e ka formësuar si politikan, në kuadër të një politike në vend që sipas tij, edhe me ngjarjet e fundit, “po fyen publikun”.

Astrit Patozi në studiot e A2

Gjykimi i tij për mos dekretimin presidencial të kandidatit për ministër të Jashtëm, Gent Cakaj, nuk lë hapësirë për palë fituese apo humbëse.

Duke nënvizuar që “në një Shqipëri normale, Presidenti duhet të jetë thjesht noterizues i Kryeminstrit”, dhe që mos dekretimi përfaqëson gjithsesi një vulnus, pra një shkelje të traditës kushtetuese e pabazuar në bindje të thella që nuk janë ato të ballafaqimit politik me kryeministrin Rama, Patozi është i bindur që ky rast tregon më së miri “zullumin ku ka arritur qeverisja Rama”.

Sipas tij, jo vetëm Cakaj, por “shumë kandidatura të tjera nuk mund të ishin ministra”. Por shembujt i bën pikërisht me eksponentët kosovarë. “Nëse do të ishin paraqitur para disa vitesh si eksponentë të PS-së, nuk do të kisha asnjë paragjykim”. Dhe bën një shembull të guximshëm. “Por tani, të katapultuar nga Rama, nuk ka kuptim. Çfarë do të thoshim po të ishin hungarezë që flasin shqip?”.

Ai shprehet i habitur në këtë prizëm për heshtjen që ka pllakosur selinë e Partisë Socialiste, disa prej të cilëve ai edhe vlerëson “Çuçi ministri më i mirë, Erion Braçe ka staturë politike”, por që nuk kritikon qasjen e Ramës që sipas tij po thotë “sulltani jam unë”.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN