Protesta, Rama: Maskarada s’do ta devijojë dot rrugën e nisur me studentët – A2

Protesta, Rama: Maskarada s’do ta devijojë dot rrugën e nisur me studentët

Protesta e studentëve mori një tjetër rrjedhë ditën e sotme, të cilët nuk dolën më të protestojnë përpara Kryeministrisë, por disa prej tyre janë “ngujuar” në fakultetin e Drejtësisë e të tjerë në atë të Ekonomikut, ndërsa mësim sërish nuk është zhvilluar.

Për këtë situatë ka reaguar edhe Kryeministri Rama me anë të një postimi në Twitter. Kryeministri Rama shkruan se prindërit dhe studentët ankohen për pengimin e dhunshëm të mësimit.

“Përbuzje për politikën që fshihet pas këtij agresioni të papranueshëm ndaj Universitetit. Kjo maskaradë s’do ta devijojë dot rrugën e nisur me studentët. Universitetet kanë dorëzuar në Ministrinë e Arsimit të gjitha listat e studentëve që do të përfitojnë mbështetjen tonë financiare, sipas Vendimit të Qeverisë. Ministria e Financave ka nisur sot punën për të realizuar alokimin e fondeve në çdo universitet, student për student”, shkruan Rama në Twitter”.

Më tej, Rama shkruan se ditën e nesërme është gati për prezantim publik portali i Programit të ri Kombëtar të Punësimit në administratë të studentëve më të mirë

“Ky program është një nga risitë e reflektimit mbi protestën, i cili na çoi shumë përtej 8 kërkesave. ‘QentëLeTëLehin ne do shkojmë së bashku përpara’”, mbyllet postimi i Ramës.

Shkarkoni aplikacionin e A2