Thellohet ngërçi në SHBA, Trump braktis negociatat

Ngërçi politik që po mbante mbyllur qeverinë amerikane thellohet edhe më shumë. Presidenti amerikan Donald Trump braktisi bisedimet me liderët demokratë Nancy Pelosi dhe Chuck Schumer, pas ripërsëritën qëndrimin se nuk do të aprovonin financimin e murit ndarës me Meksikën. Trump e cilësoi si një humbje kohe takimin e zhvilluar në Capitol Hill.

“Sapo u largova nga takimi me Chuck and Nancy, totalisht një humbje kohe. I pyeta se çfarë do të ndodhë në 30 ditë nëse unë do të mundësoj hapjen e qeverisë. A do ta aprovoni ngritjen e barrierës së hekurt në kufi? Nancy më tha jo, dhe unë i thashë mirupafshim”, shkroi Trump në Twitter.

Rreth 800 mijë punonjës federal nuk do t’i marrin pagat këtë jave, për herë të parë që kur nisi “shutdown”. Nga ana e saj, kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi tha se presidenti Trump nuk ndjente aspak keqardhje për dëmin që po i shkaktonte punonjësve federalë.

“Presidenti mendon se njerëzit mund t’i kërkojnë para prindërve të tyre, por ata nuk munden. Ai nuk po e kupton dëmin e madh që po shkakton”, tha Pelosi.

Shumer tha për gazetarët se presidenti kishte braktisur papritur bisedimet kur Pelosi i tha jo për murin.

“Ai e pyeti Pelosin… A do ta aprovoni murin? Nensi i tha jo dhe Trump u çua, pohoi se nuk kishin asgjë për të diskutuar dhe doli”, u shpreh Chuck Shummer.

Sipas një sondazhi të ri, vetëm gjysma e amerikanëve fajësojnë presidentit për “shutdown”-in, por 77 përqind e votuesve republikanë e mbështesin kërkesën e tij për murin.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN