Vasili: Rama bllokoi “Forcën e Ligjit” me Lleshajn

Pas deklaratave për A2 të ambasadorit të BE, Luigi Soreca ka reaguar edhe kreu i grupit parlamentar të LSI, Petrit Vasili. Sipas tij diplomati i BE tregoi qartë se me emërimin në krye të Ministrisë së Brendshme të Sandër Lleshajt, Rama bllokoi operacionin ‘’Forca e Ligjit’’.

‘’Lidhjet e forta dhe kriminalizimi i qeverisë së Edi Ramës i impononin asaj që t’i shërbente krimit të organizuar, si dhe të ndalnin goditjen ndaj tij si haraç për përdorimin e tij në zgjedhjet dhe grabitjen e votave, por edhe ne kriminalizimin e ekonomisë dhe krijimit të hapësirave pa fund për pastrimin e parave te pista”, shkruan Vasili në profilin e tij në “Facebook”.

Sipas tij, ministri Lleshaj me të marrë detyrën u kujdes “fort” që si prioritet të mos ishte vazhdimësia e operacionit të suksesshëm “Forca e Ligjit” nisur nga ministri Xhafaj, por kafet dhe barku i rritur i policëve.

“Ndaj Edi Ramës dhe ministrit Lleshaj sot rendon akuza shumë e rëndë se duke shpërdoruar detyrën kanë sabotuar me qëllim luftën ndaj krimit të organizuar”, përfundon reagimin e tij kreu i grupit parlamentar të LSI, Petrit Vasili.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN