Meta: Presidenti është kërcënuar. Rama: Mos e merrni seriozisht – A2

Meta: Presidenti është kërcënuar. Rama: Mos e merrni seriozisht

Dita e premte ka nisur sërish me përplasje mes Ilir Metës dhe Edi Ramës. Presidenti këtë herë ka reaguar ashpër ndaj Kryeministrit.

Në një postim në “Facebook”, ai shkruan se Institucioni I Presidentit është kërcënuar dhe kjo është e turpshme, thotë Meta ndër të tjera.

“Ai që guxoi të kërcënojë komisar Zaganin pse denoncoi bashkëpunimin e trafikantëve të drogës me pushtetarët, ai që guxoi të kërcënojë nënkomisarin e Fushë-Krujës pse hetoi dhunimin e një vajze nga djali i një deputeti, ai që guxoi të kërcënojë një profesor të nderuar vetëm pse i shkruajti një letër Presidentit të Republikës në mbrojtje të interesit kombëtar, ai që kërcënon çdo ditë gazetarë e pronarë mediash, ai që kërcënon prokurorë e gjyqtarë, ai që kërcënon opozitarë dhe dëshmitarë, ai që urdhëron falsifikimin e letrave të tenderave e deri tek dokumente të sigurisë kombëtare bëri gabimin fatal të kërcënojë edhe Presidentin e Republikës së Shqipërisë në mënyrë të drejtpërdrejtë. Nuk ka fuqi në botë t’i bëjë presion e shantazh Presidentit të Republikës së Shqipërisë. Nuk ka Gjykatë Kushtetuese në botë që ndalon e interpreton kompetencat që i jep Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, Presidentit, për emërimin e shkarkimin e ministrave e në veçanti të atyre që janë anëtarë të Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Interesi kombëtar i pari! Shqipëria e Para”, shkruan Meta.

Vetëm pas minuta nga deklarata e Presidentit ka ardhur edhe reagimi i Ramës, i cili shkruan se ka dërguar prova se hedhin poshtë argumentimet e Metës për të mosdekretuar Genti Cakën në postin e ministrit të Jashtëm. “Mos e merrni seriozisht ju lutem, ose i ka vjedhur Doktoresha e Shkencave passwordin e faqes zyrtare ose pastaj është në atë fazën kur i bën thirrje popullit për të marrë armët, ngaqë s’di si të dalë nga gropa që i hap vetes! I çova provat e mëkatit ndaj Gentit dhe vuan tani”, shkruan Rama.

Shkarkoni aplikacionin e A2