“Lufta” Meta-Rama në ditën e tretë në rrjetet sociale

Mëngjesin e së shtunës, Presidenti Meta e nisi sërish “luftën” në rrjetet sociale me Kryeministrin Rama mbi çështjen e mosdekretimit të Gent Cakajt si ministër i Brendshëm.

Presidenti shkroi se në situatën ku ndodhet sot Ministria e Jashtme nuk mund të kthehet në një autoshkollë.

“Sot, në momente të rëndësishme të sfidave tona rajonale, Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë nuk mund të kthehet në autoshkollë, ku ustai i madh kërkon të mësojë “gjeniun” si të ndryshojë kufijtë e të gjithë Ballkanit Perëndimor. Partia Socialiste ka kapacitete të jashtëzakonshme në fushën e politikës së jashtme dhe Shqipëria ka shumë diplomatë të sprovuar, të cilët mund të vendosen në drejtimin e politikës sonë të jashtme, pa kaluar nga autoshkolla e ndryshimit të kufijve në gjithë Ballkanin Perëndimor, shkruan presidenti, tek thotë se Shqipëria do jetë gjithmonë faktor paqeje e stabiliteti në rajon me lidership të besueshëm edhe në kryesimin e OSBE-së”, mbyllet postimi i Presidentit.

Në mesditë erdhi edhe reagimi i Kryeministrit, i cili këtë gjë e bëri në “Twitter”. Ai shkruan se Gjykata e re Kushtetuese do t’i japë fund kësaj maskarade, siç e quan ai.

“Mos prisni të merrem më me një pengmarrës të Kushtetutës në zyrën e Presidentit, i cili është katandisur në çizme rezervë e Doktoreshës së Shkencave. Gjykata e re Kushtetuese do t’i japë fund kësaj maskarade, ndërsa vëmendja jonë do jetë e gjitha tek njerëzit e zero tek çizmet”, shkroi Rama.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN