Napoli fitore me polemika, në çerekfinale kundër Milanit

Napoli mundi 2-0 Sassuolon për t’u kualifikuar për në çerekfinalet e Kupës së Italisë, ku do të përballet me Milanin.

Me Elseid Hysajn titullar, si rrallë herë kohët e fundit, skuadra e Ancelottit kaloi shpejt në epërsi me Milik, i cili përfitoi nga mungesa e përqendrimit të Pegolos pas një krosimi të Insignes dhe me portën e boshatisur dërgoi topin në rrjetë.

Sassuolo reagoi dhe arriti të barazonte me Locatellin, por arbitri kryesor Chiffi e anuloi golin pas përdorimit të sistemit VAR për një prekje me dorë të topit nga ana e mesfushorit, vendim që nuk u miratua nga miqtë.

Në pjesën e dytë, Napoli mbylli llogaritë kur kishin mbetur edhe 15 minuta lojë, me Fabian Ruiz që shënoi një gol fantastik me të majtën pas një topi të dhënë nga Milik.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN