Nuk ka punë, mbyllet restoranti për nudistët në Paris

Restoranti i parë për nudistët në Paris do të mbyllet pas vetëm një viti. “O’Naturel”, i vendosur në lagjen 12 të kryeqytetit francez, do të shërbejë vaktin e fundit më 16 shkurt, të paktën kështu thuhet në një postim në Facebook të bërë nga pronarët.

Binjakët Mike dhe Stéphane Saada thanë për AFP se mbyllja vinte për arsye financiare. Por deri atëherë restoranti mbetet i hapur dhe ata i bëjnë thirrje klientëve të mos ngurrojnë të prenotojnë.

Restoranti u hap me shumë bujë në nëntor 2017 dhe mori kritika pozitive si për shërbimin, ashtu edhe për përvojën unike të të ngrënit pa asgjë veshur. Personat që konsumonin një vakt aty zhvishen në një dhomë të veçantë, ku edhe linin telefonat për arsye privatësie, ndërsa stafi dhe pronarët mbeteshin të veshur.

Por edhe pse ideja e të ngrënit tërësisht lakuriq në një hapësirë të ndarë me të panjohur mund të mos jetë pëlqyer shumë, natyralistët në Francë duket se janë shtuar. Në Paris, dy vjet më parë u përcaktua një zonë e veçantë për nudistët në parkun “Bois de Vincennes”, ndërsa në maj të vitit të kaluar, galeria e artit “Palais de Tokyo” i ofroi nudistëve mundësinë për të vizituar për një pasdite. Ndërsa në qershor, Shoqata e Nudistëve të qytetit organizoi një piknik gjigant duke përuruar edhe ditën parisienë të natyralizmit, një event që shpresojnë të bëhet traditë çdo të diel të fundit të muajit.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN