BE e OSBE: Opozita në Kuvend

Kryetari i PD, Lulzim Basha zhvilloi për më shumë se 60 minuta një takim me ambasadorin e BE, Luigi Soreca dhe atë të OSBE, Bernd Borchardt.

Në përgjigje të A2 mesazhi për opozitën shqiptare ishte ky: “Opozita i përket parlamentit dhe kjo është një kërkese konstante që i bëjmë opozitës dhe në shpresojmë që opozita të jetë në parlament, si në dhjetor. Objektivi është të finalizohet punën e bërë në dokumentin, në propozimet e përbashkëta që përmbushin rekomandimet e OSBE-ODIHR”, u shpreh ambasadori i BE.

Ambasadori i BE kujtoi se reforma zgjedhore përfaqëson ende një prioritet për BE-në, pjesë të prioriteteve që Shqipëria duhet të përmbushë para vendimit të qershorit lidhur me hapjen e negociatave.

Por, a është në kohë Shqipëria për të plotësuar rekomandimet e OSBE –ODIHR për zgjedhjet?

“Koha po ngushtohet. Ka ende mënyra për të ecur para. Sigurisht”, tha ambasadori i BE,

Vendimi përfundimar mbi qëndrimin e opozitës me Kuvendin, do ta marrë në një tryezë opozita e bashkuar. Por në një intervistë për A2, sekretari i përgjithshëm, Arben Ristani thotë se me gjasë marrëdhënia e kushtëzuar do të vijojë. Madje, ai paralajmëroi mosbindje civile.

“Gjendja në përgjithësi e vendit është e keqe. Ekonomia është keq, rendi dhe siguria shkojnë keq dhe të gjitha këto të çojnë drejt mosbindjes civile, e cila kulmon dhe me djegien e mandateve. Është në opsion dhe mund të shkojë drejt këtij përshkallëzimi dhe drejt këtij skenari”, tha Ristani.

Por përtej këtij skenari, demokratët po përgatiten edhe për zgjedhjet vendore. Sekretari i përgjithshëm i PD, thotë se opozita po përzgjedh kandidatët për kryetarë bashkie. Në fund të muajit janar PD pritet të mbledhë Këshillin Kombëtarë për të zgjedhur piramidën e PD. Ristani konfirmon se do të kërkojë një mandate tjetër 4-vjeçar për detyrën e sekretarit të përgjithshëm.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN