Tsipras pa shumicë parlamentare, kërkon votëbesim

Kryeministri grek Aleksis Tsipras tha se do të kërkojë një votëbesim për qeverinë e tij pasi partneri i koalicionit Panos Kammenos doli të dielën nga koalicioni qeveritar, në shenjë proteste ndaj marrëveshjes me Maqedoninë për çështjen e emrit.

 Tsipras pohoi se i kishte kërkuar kryetarit të parlamentit të nisë menjëherë procedurat për votëbesimin i cili siç tha, do të mbahet të mërkurën pas një debati dy ditor.

Evangelos Apostolakis, ministri i ri i Mbrojtjes

 Tsipras njoftoi gjithashtu se do të zëvendësojë Kammenos me admiralin Evangelos Apostolakis, shef i shtabit të përgjithshëm të mbrojtjes kombëtare greke.

Komentet e kryeministrit pasuan vendimin e ministrit të mbrojtjes Kammenos, i njoftuar të dielën. ‘Marrëveshja e Prespës me Maqedoninë krijon një krizë në unitetin e shoqërisë greke. Ajo nuk është një marrëveshje, por një kapitullim dhe ja dorëzon historinë dhe qytetërimin e kombit tonë, një entiteti të sajuar’, deklaroi Kammenos.

Me largimin e tij nga koalicioni Panos Kammenos e ka lënë kryeministrin pa një shumicë parlamentare dhe shton gjasat për zgjedhje të parakohshme.

Partia Syriza e Tsipras ka 145 vende në parlamentin me 300 vende, dhe kishte siguruar shumicën përmes aleancës me grekët e pavarur të Kammenos, me 7 ligjvënësen. 

Maqedonia miratoi të premten ndryshime kushtetuese që ia ndryshojnë emrin vendit në Maqedonia e Veriut, sipas marrëveshjes me Greqinë.  Ujdia do t’i mundësonte Maqedonisë anëtarësimin në Nato e Bashkimin Evropian, por ajo duhet të ratifikohet edhe nga Greqia që të hyjë në fuqi.  

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN