Britania vendos sot për marrëveshjen e Brexit

Parlamentarët britanikë votojnë sot për marrëveshjen e Brexit me Brukselin, e negociuar nga kryeministrja Theresa May.

Votimi, i cilësuar si historik, do të zhvillohet gjatë pasdites pas 5 ditësh debate lidhur me çështjen. May u kërkoi politikanëve të mbështesin marrëveshjen e saj, pasi në të kundërtën do të zhgënjenin popullin Britanik.

Por ndërsa shumë prej pjesëtarëve të partisë së saj pritet t’i bashkohen opozitës duke votuar kundër marrëveshjes, ujdia duket se do të rrëzohet.

Parlamentarët do të mund të sugjerojnë amendime të mundshme të ujdisë paravotimit që do të nisë rreth orës 19. Kryeministrja ju drejtuar ligjvënësve mbrëmjen së hënës, në një përpjekje të fundit për të fituar mbështetjen e tyre si për marrëveshjen e shkëputjes nga unioni ashtu edhe deklaratën politikën për marrëdhënien tyre të ardhshme.

“Marrëveshja nuk është perfekte por kur librat e historisë të shkruhen njerëzit do të shohin vendimin e parlamentit dhe do të pyesin nëse ne e përmbushëm vullnetin e tyre për t’u shkëputur nga BE, nëse e mbrojtëm ekonominë, sigurinë apo unionin, apo nëse e zhgënjyem popullin britanik”, tha May.

Ajo u përpoq gjithashtu të siguronte parlamentarët lidhur me planin që parandalon rikthimin e kufijve fizikë mes Britanisë dhe Irlandës. May ju referua garancive të reja të ofruara nga Be se marrëveshje doganore do të ishte e përkohshme dhe do të zgjaste për një periudhë të shkurtër.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN