Deputetët britanikë refuzojnë marrëveshjen e Brexit

Deputetët e Dhomës së Përfaqësuesve në Parlamentin britanik kanë refuzuar marrëveshjen e “Brexit” të arritur mes Kryeministres Theresa May dhe Bashkimit Europian.

432 deputetë (118 nga vetë Partia Konservatore) votuan kundër marrëveshjes, ndërsa vetëm 202 votuan pro, duke e bërë këtë humbjen më të madhe të një qeverie britanike në parlament që prej vitit 1924.

Kryeministrja May tha pas votimit se deputetët do të kenë nesër të votojnë edhe për kabinetin qeveritar, pas këtij refruzimi masiv që iu bë marrëveshjes.

“Rezultati thotë çfarë nuk duan deputetët, por jo çfarë ata duan”, tha ajo. “Nëse Jeremy Corbyn (lideri i laburistëve) do të paraqesë një mocion mosbesimi atëherë ai do të debatohet nesër, nëse jo, parti të tjera do të kenë mundësinë ta bëjnë”, shtoi May, e cila konfirmoi se do të rikthehet në tryezën e bisedimeve me përfaqësuesit e Bashkimit Europian për të konsideruar plane të reja.

Nuk vonoi edhe paraqitja e mocionit nga ana e Kryetarit të Partisë Laburiste, i cili do të debatohet dhe votohet po nesër.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN