Mediu: Rama, “kumbar” i idesë së ndryshimit të territoreve në Kosovë

Fatmir Mediu thotë se Kryeministri Edi Rama ka keqpërdorur për qëllime politike të brendshme çështjen e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, çështje që ka marrë vëmendje edhe në Tiranë.

“Të paktën për një gjë nuk ka pasur dallime në politikën e jashtme shqiptare, për çështjen e Kosovës. Nuk ka pasur asnjëherë kulisa në politkën shqiptare për sa i përket çështjeve që kanë pasur të bëjnë me interesin tonë kombëtar”, u shpreh Mediu.

“Ka një kohë që qeveria shqiptare që nuk është prononcuar në lidhje me qëndrimet e disa përfaqësuesve të politikës së Kosovës. I vetmi që e ka bërë këtë ka qenë zoti Bushati. Zoti Rama ka stimuluar marrëdhënien me Vucic, sikur ai është i prirur të zgjidhë të gjitha problemet me shqiptarët. Edi Ramën, mund ta quaja “kumbar” të kësaj ideje për ndryshimin e territoreve”, shtoi ai.

Sipas Mediu, pas këtyre tezave fshihet Rusia. “Ndryshimet i kërkon vetëm Rusia, sepse ka vetë çështje të hapura me kufijtë, me Ukrainën dhe Gjeorgjinë. Nga ana tjetër kemi një administratë amerikane shumë pragmatiste, me vëmendjen më të madhe te çështjet e brendshme dhe vëmendja ndaj Ballkanit Perëndimor ka qenë minimale, ose spontane. Edhe Bashkimi Europian ka mbajtur qëndrim konfuz, përveç Gjermanisë që ka qenë e prerë”.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN