Rrahmani e thotë hapur: U largova nga Shqipëria se nuk më morën në Europian

Ish-mbrojtësi i Partizanit, Amir Rrahmani, i cili aktualisht luan me Dinamon e Zagrebit, ka folur për herë të parë se pse la Shqipërinë për të përfaqësuar Kosovën.

Së bashku me Rashicën, e Shalën, Rrahmani ishte një prej lojtarëve që lanë ngjyrat kuqezi për të veshur ato të Kosovës. Por në ndryshim nga futbollistët e tjerë, por edhe pse 3 vite nga vendimi, më në fund Rrahmani është shprehur i qartë për arsyet se pse u largua nga Shqipëria.

Në një intervistë për mediat kroate, mbrojtësi është shprehur se vendimi i tij kishte të bënte me faktit që u la jashtë skuadrës që udhëtoi për në Europianin e Francës, e cila në atë kohë drejtohej nga italiani De Biasi.

“Unë isha pjesë e Kombëtares shqiptare, por vendosa më pas të luaja për Kosovën. Pash se te Shqipëria nuk kisha shumë hapësira dhe ata nuk mendonin se mund të mbështeteshin te mua. Isha në përgatitjet për Kampionatin Europian, por ata nuk më morën në Francë. Kjo ishte arsyeja pse vendosa të luaja për Kosovën”, u shpreh Rrahmani për mediat kroate.

Që prej asaj kohe, Rrahmani është bërë një nga shtyllat e mbrojtjes së Kosovës. Po ashtu edhe Rrashica, një lojtar i cili parashikohej me një të ardhme të ndritur u largua nga Shqipëria në momentin që nuk u mor nga De Biasi në Francë, por sulmuesi ende nuk i ka bërë të ditur arsyet se pse bëri këtë zgjedhje.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN