Trump: Nuk kam punuar kurrë për Rusinë

Presidenti amerikan, Donald Trump deklaroi edhe një herë se nuk ka punuar kurrë për Rusinë. Ai sulmoi përsëri mediat duke thënë se raportojnë lajme false. Zemërimi i tij erdhi pasi Uashington Post raportoi se Trump konfiskoi shënimet e përkthyesve pas takimit të tij me presidentin rus, Vladimir Putin në 2017.

“Nuk kam punuar kurrë për Rusinë”. Kështu u shpreh presidenti amerikan, Donald Trump duke mohuar raportimet e mediave lidhur me hetimet për ‘Russiagate’. Sa i përket takimeve me presidentin rus, Vladimir Putin, kreu i Shtëpisë së Bardhë nënvizoi se nuk di asgjë lidhur me shënimet e përkthyesve të tij.

 “Ju e dini këtë përgjigje më mirë se askush tjetër. Jo vetëm që nuk ka punuar kurrë për Rusinë, por mendoj se është për të ardhur keq që ju e bëni këtë pyetje pasi është e gjitha një mashtrim”, deklaroi presidenti i Shteteve të Bashkuara.  

Raportimet e mediave amerikane, Trump i cilësoi lajme false. Në fundjavë, Uashington Post shkruante se presidenti amerikan u konfiskoi shënimet përkthyesve të tij pas takimit me Putin në 2017.

Ndërsa, Nju Jork Times, raportoi se FBI kishte hapur një hetim për të kuptuar nëse Trump po punonte për Rusinë. Gjatë një intervistë për FOX News, kreu i Shtëpisë së Bardhë u pyet për këtë çështje dhe ai nuk e mohoi por vetëm tha se ndihet i fyer.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN