Balili, pikëpyetjet e dorëzimit në polici

Kelmend Balili, njeriu që sfidoi policinë e shtetit shqiptar për 2 vjet e 8 muaj, i dha fund arratisë në një formë të denjë për reputacionin që krijoi këto vite. i mbiquajtur nga mediat greke si Eskobari i Ballkanit dhe pasi nxori blof disa ministra, 47-vjeçari nga fshati Stjar i Delvinës, pati kushtet e tij për t’u dorëzuar.

I ftuar në studion e A2 Debat, Ismail Elezi, ish-drejtor i policisë së shtetit thotë se është e papranueshme mënyra se si u realizua vënia e tij para drejtësisë. “Ky është fundi i shtetit, që drejtori i përgjithshëm i policisë së shtetit të marrë me makinë private një person me rrezikshmëri të lartë, por të menaxhojë punën e policisë”, tha zoti Elezi.

Në media është përfolur për një sërë kushtesh që Kelmend Balili i kishte vendosur policisë për t’u dorëzuar, por gazetari Ferdinand Dervishi mendon se më tepër, dorëzimi i tij ka të bëjë me mbërritjen e dosjes së tij nga Greqia.

“Avokati i tij, i cili është edhe ish-prokuror i përgjithshëm i Shqipërisë, duhet ta ketë lexuar atë dosje dhe i ka thënë klientit që me provat e grumbulluara kundër tij ka gjasa që ai të lirohet, pasi nuk ka shumë prova”, tha Dervishi.

“Sa i përket momentit të arrestimit, duket se ai policia ka pranuar kushtet e vëna prej tij. Edhe drejtori i përgjithshëm nuk ka faj, sepse i është vënë kusht, që nuk i dorëzohet njeriu tjetër”, shtoi Dervishi. “Por impaktin më të madh ky zhvillim e ka te anëtarët e krimit të organizuar, gjysmë mafioz, pasi ata marrin një goditje shumë të madhe psikologjike, sepse shteti arrestoi atë që ishte në krye të listës”.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN