Nata e parë në qeli, Balilin e vizitojnë familjarët

Në një kohë që Kelmend Balili qëndron i izoluar në ambientet e drejtorisë së policisë së Tiranës familjarët e tij e vizituan këtë mëngjes. Automjeti që e shoqëroi nga Delvina deri në kryeqytet ishte për disa minuta përballë policisë së Tiranës, ndërsa të afërmit e vizituan në ambientet e paraburgimit.

I ashtuquajturi Eskobari i Ballkanit, pritet të dalë ditën e enjte në orën 14:00 përballë gjykatës së krimeve të rënda, për vlerësimin e masës së sigurimit. Nga ana tjetër ish-drejtuesit e policisë thonë se Kelmend Balili ka marrë garancitë në komisariatin numër 6, aty ku dhe u hartua procesverbali i vetëdorëzimit. Sipas Arjan Hoxhës, ish-drejtues policie, në këtë rast nuk ekziston termi operacion policie siç tha një ditë më parë ministri i brendshëm Sandër Lleshaj.

Pas më shumë se dy vitesh në arrati, i etiketuari si Eskobari i Ballkanit, apo dhe magjistari, u vetëdorëzua në polici. Mëngjesin e së martës ai u nda me familjarët dhe u drejtua për në pikën ku pritej nga drejtori i përgjithshëm i policisë Ardi Veliu rreth 2 kilometra larg fshatit Stjar. Prokuroria e krimeve të rënda ka ngritur akuzat e trafikimit të lëndëve narkotike, grupit të strukturuar kriminal, pastrimit të parave dhe refuzimit të deklarimit të pasurisë.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN