Votohen ministrat e rinj, opozita nis protestat

Rinisi me debate seanca e jashtëzakonshme parlamentare, ku shumica votoi dhe miratoi dekretet e Presidentit Ilir Meta për shkarkimet e ministrave dhe emërimet e ministrave të rinj të Kabinetit Rama.

Opozita kërkoi fjalën për të debatuar mbi këto ndryshime në qeveri, por shumica nuk ishte dakord. Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi tha se në asnjë nen të rregullores së Kuvendit nuk thuhet që votimet e dekreteve të Presidentit për shkarkime dhe emërime bëhen me debat.

Ministrat e shkarkuar

Ndërsa filloi votimi i dekreteve, opozita u largua nga salla. Jashtë godinës së Parlamentit, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha tha: “Fjalën e opozitës e mohoi Kryetari i Kuvendit dhe Kryeministri. Sot praktikisht qeveria ra. i bëjmë thirrje çdo shqiptari për mobilizim total për largimin mediat të Edi Ramës”.

“Sot kemi një qeveri të vdekur. Kishim një qeveri në koma sepse erdhi në pushtet me votat e krimit. Jemi në një gjendje emergjence kombëtare, për herë të parë që nga koha e Enver Hoxhës, Kryeministri mban edhe postin e ministrit të Jashtëm”, shtoi ai.

Ndërsa kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, tha: “Nuk është çështje bojkoti, por duhet të largojmë një herë e më parë këtë qeveri. Sot kemi një Parlament të marrë peng. Shumë shpejt do ta keni edhe agjendën e veprimeve tona”

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN